Ndërmjet 24 dhe 25 korrikut të vitit të kaluar, njësiti special i Policisë së Kosovës, ROSU, u nis drejt dy pikave kufitare me Serbinë. Ata tentuan të arrijnë në Jarinë dhe Bërnjak, mirëpo operacioni nuk u përmbush pasi që serbët reaguan më shpejtësi duke bllokuar rrugët. ROSU kishte arritur vetëm në Bërnjak. Ky aksioni nxiti reagime të ashpra të Serbisë dhe Rusisë.Që nga ajo kohë, shumë rrugë në veri mbesin të bllokuara, duke përfshirë edhe urën qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Nga ky aksion, në afërsi të Bërnjakut, kishte mbetur i vrarë polici i Kosovës, Enver Zymberi, pasi që ishte goditur me snajper, ndërkaq ende nuk ka të arrestuar lidhur më këtë vrasje.
Një ditë më vonë, shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borisllav Stefanoviq dhe ish komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ishin pajtuar që të tërhiqet ROSU nga veri, në mënyrë që të qetësohet gjendja.
Në Bërnjak dhe Jarinë më pas u vendosen pjesëtarët e KFOR-it, ata të EULEX-it dhe Policisë së rregullt të Kosovës, si dhe një numër i vogël i doganierëve.
Marrëveshja gojore për të qetësuar gjendjen në atë pjesë të vendit mori fund më 27 korrik, kur një grup huliganësh serbë dogjën pikën kufitare në Jarinë, duke hedhur koktej molotovi. Aty ishin dëgjuar edhe rrafale automatikësh, ndërsa KFOR-i u përgjigj me forcë pasi që ishin sulmuar edhe me armë zjarri.
Pas djegies së Jarinës, KFOR-i dhe EULEX-i mbyllën këtë kalim kufitar për qarkullim, ndërsa serbët ngritën edhe më shumë barrikada si kundërpërgjigje për këtë veprim të KFOR-it.
Pas 11 ditë krize, u arrit një marrëveshje ndermjet KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, e cila mundësonte që pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe doganierët të barteshin me helikopter deri në dy pikat kufitare.
Kjo marrëveshje fillon të zbatohej nga 15 shtatori. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe largimi i barrikadave, mirëpo ato asnjëherë nuk u hoqën plotësisht, pasi që ilegalët e veriut të mbështetur edhe nga Beogradin, vazhduan t’i mbanin të mobilizuar qytetarët serb.
Në ndërkohë, në shumë raste ka ardhur deri te përleshjet e serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it të cilët tentonin t’i largonin barrikadat. Nga këto përleshje, paten mbetur të lënduar shumë pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre ishin plagosur edhe me armë zjarri.
Përleshja më e madhe kishte ndodhur në fund të nëntorit gjatë heqjes së barrikadës në Jagnjenicë. Serbët provuan që t’i ndalonin ushtarët ndërkombëtar. Ata përdorën edhe armë zjarri duke lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it austriak, njërin prej tyre rëndë.
KFOR-i në muajt e kaluar ka larguar shumicën e barrikadave të cilat i kishin vendosur serbët. Kanë mbetur edhe disa barrikada në pjesën veriore të Mitrovicës, në urën mbi lumin Ibër, si dhe në rrugën e cila dërgon te ura perëndimore, pastaj në rrugën Zveçan-Mitrovicë, ku komunikacioni zhvillohet sipas sistemit cik-cak, pastaj barrikada ka edhe në Zupç në rrugën Mitrovicë-Ribariq, afër Leposaviqit, ku serbët ende bëjnë kujdestari.
Në fshatin Rudarë ka mbetur një kryq në mes të rrugës, të cilin serbët e kishin vendosur në kohën e bllokimit të rrugëve.


0 comments:
Speak up your mind
Tell us what you're thinking... !