Headlines News :
Home » » Thellë në mua më mbyt diç e pathënë

Thellë në mua më mbyt diç e pathënë

Written By Portali Pavarësia on Wednesday, July 25, 2012 | 11:09

Poetë të ndryshëm, disa kokëulur, disa me lot, e disa edhe me tufë lulesh po nderonin nëpërmjet një ore letrare, veprimtarinë e Ali Podrimes, me rastin e vdekjes së tij, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës të organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë, e apostrofuar “Lamtumirë poet Ali Podrimja”.

Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, këtë mbledhim pas vdekjes së Aliut e quajti si nderim të vonuar, pasi që, sipas tij, Ali Podrimja për këto fjalë të mëdha kishte nevojë derisa ishte gjallë.

“E tash kur Aliu na la, tash po i kthehemi veprës së tij dhe po habitemi të gjithë që Aliu paska lënë vepër shumë të njerëzishme, shumë kombëtare. Kjo e pasqyron shoqërinë tone, e cila reagon me vonesë. Vetëm atëherë kur po vdesin njerëzit, të tjerët duan ta flasin të vërtetën”, ka thënë Demaçi.

“Krejt këto që u thanë brenda tri katër ditëve pas vdekjes së tij nuk u thanë për të gjallë të Aliut, e unë besoj se Aliu do të ishte shumë i lumtur që vetëm gjysmën e tyre ta dëgjonte, ndoshta po t’ia thonim më herët do t’ia zgjasnin edhe jetën”, ka thënë Demaçi, duke besuar në atë se Ali Podrimja e shihte veten si një njeri që po ia bënin të padrejtë, por që i mungonte fuqia ta pengonte këtë.

“Aliu si poet dhe si njeri ishte origjinal dhe nuk i përngjante askujt. Aliu jetoi jo vetëm me stresin e poetit por edhe me atë njerëzor, dhe si duket këto strese të panumërta që e përcilllnin e bënë që të shkonte më herët se sa që duhej”, ka thënë ai, duke adresuar edhe një kritikë për institucionet që askush nuk u kujtua që emrin e tij ta propozonin për çmimin Nobel, apo për çmime të tjera që ndahen për letërsi.

“E lanë Aliun të përpiqet me metaforat e veta”, ka thënë Demaçi, duke vlerësuar se ky vend edhe më tutje vazhdon të mbetet nëpër folklore, nëpër fise, nëpër nahi, të ndarë e të përçarë.

Në anën tjetër, një ndër panelistet e kësaj ore letrare por edhe njëra nga bashkudhëtaret e fundit të Ali Podrimes në Ladove të Francës ku edhe ka ndërruar jetë, Ilire Zajmi shprehej ta ketë vështirë të besonte se Aliu nuk është më në mesin e të gjallëve. Ajo përmendi para të pranishmëve për kujtimet me të në Ladove, ku Aliu kishte lexuar poezinë e fundit “Fustani i verdhë”.

“Do të më fliste aq shumë për Lumin, madje do të ma dhuronte edhe njëherë “Lum Lumin””, ka thënë Zajmi, duke u shprehur e pikëlluar se iu desh të kthehej në Kosovë pa të.

“Unë jam shumë e tronditur dhe nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen, vdekje tragjike, një vdekje e pabesueshme, ndoshta një vdekje e rrallë që mund ta përjetojnë vetëm poetët, ashtu sikur ishte Ali Podrimja. Tek e fundit ashtu sikur jetoi si një poet i jashtëzakonshëm, ashtu edhe vdiq. Më në fund Ali Podrimja po pushon i qetë”, ka thënë Zajmi.

Kurse shkrimtari, Ramiz Kelmendi para të pranishmëve është shprehur se e ka gënjyer veten duke besuar se ka ditur të shkruaj.

“Krejt këtë çka po ndiej këto dy ditë, unë jam gjysmë i vdekur, prej se vdiq Ali Podrimja, ky miku ynë, ky pena e jonë që na nderoi jo vetëm letërsinë por krejt kombin tonë. Jemi varfëruar për një emër shumë të madh. Pata një ndjenjë sikur na vdiq një Migjen i ri, i kësaj poezie, i kësaj kulture. Edhe sot po e dëshmoj se nuk jam fare i fjalës, por atë që di të them është se gjysma e jetës sime ka vdekur”, ka thënë Kelmendi. Në këtë orë letrare me kujtime për Aliun janë paraqitur edhe Reshat Sahitaj, Ajdin Abazi nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte e Begzad Baliu.

Më pas në këtë kujtim për Ali Podrimen janë lexuar vargje nga poetë të ndryshëm si: Rexhep Ferri, Ilire Zajmi, Gani Xhafolli, Smajl Smaka, Mexhid Mehmeti, Jonuz Fetahu, Zymer Neziraj, Tomë Paloka, Naim Kelmendi, Jeton Kelmendi, Shqipe Hasani, Fahredin Shehu…
Share this article :

0 comments:

Speak up your mind

Tell us what you're thinking... !

 
Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm
pas referimit të qartë të burimit të Portalit Pavaresia, në
përputhje me kushtet e përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Copyright © 2012. Pavarësia - Shpejt, sakt, online - All Rights Reserved
Template Design by Creating Website Published by Mas Template